Ish-sulmuesi i Anglisë, Andy Carroll, ka bërë një rrëfim tronditës në autobiografinë e tij të re, duke zbuluar se disa vite më parë ishte viktimë e një sulmi seksual. 37-vjeçari, ish-lojtar i Newcastle dhe Liverpoolit, ka vendosur ta bëjë publike ngjarjen në librin e tij “Owning It”, edhe pse për një kohë të gjatë kishte hezituar të fliste për atë që kishte përjetuar. Carroll tregon se e diskutoi gjatë me partneren e tij, Lou Teasdale, nëse duhej ta përfshinte këtë pjesë në autobiografi, por pas një periudhe të gjatë hezitimi vendosi ta tregonte historinë. “Diçka më ndodhi disa vite më parë që ishte aq traumatike, sa vendosa ta përfshija në këtë libër vetëm në momentin e fundit. Jam sulmuar seksualisht. Ja, e thashë. Është e frikshme edhe ta mendosh dhe deri tani vetëm disa persona e dinin”, rrëfen Carroll.
Ish-futbollisti anglez pranon se kjo përvojë ka ndikuar në njeriun që është sot, njësoj si edhe momentet e bukura të jetës së tij. “Është e frikshme të flasësh për të, por kjo ngjarje më ka bërë njeriun që jam sot, po aq sa edhe gjërat e mira. Nëse rrëfimi im për këtë ndihmon qoftë edhe një person, atëherë ia ka vlejtur”, shprehet ai. Carroll, i cili aktualisht luan dhe është ndihmës-trajner te Dagenham & Redbridge, ka folur në libër edhe për jetën e tij jashtë futbollit. Ai pranon se ka kërkuar të jetojë sa më normalisht, duke dalë me miqtë, udhëtuar, ndjekur festivale muzikore dhe shijuar jetën larg presionit të vazhdueshëm që sjell fama. Futbollisti anglez thekson se nuk dëshiron të kalojë pjesën tjetër të jetës duke u penduar për mënyrën se si ka zgjedhur të jetojë, duke pranuar se ka bërë edhe gabime gjatë rrugëtimit të tij.

