Kombëtarja e “varur” nga aftësia taktike e Maran

Ndoshta është ende herët që të bëjmë llogaritë mes dy kohëve dhe emrave të ndryshëm, por shenjat e para gjithsesi janë të qarta. Trajneri Rolando Maran do të na japë një tablo më të qartë të skuadrës që ka në kokë vetëm pas ndeshjeve të radhës në Nations League, duke pasur në krahun e tij edhe avantazhin e kundërshtarëve të lehtë në letër, ku mund të eksperimentojë sa të dëshirojë pa rrezikuar fytyrën.

Gjithsesi, nëse shikojmë me kujdes listën e lojtarëve të grumbulluar, me shumë vështirësi mund të thuhet që kjo skuadër do të ketë një sjellje të ndryshme. Garda e vjetër, me disa prurje të reja me pikatore, sepse ndoshta trajneri preferon të luajë në mbrojtje për të rritur bonuset e vendit të tij të punës.

Etrit Berisha, prej dy vitesh i larguar dhe i rikthyer, Mitaj pa asnjë minutë në këmbë, Hysaj në bokse, Kumbulla me shumë pikëpyetje, Gjimshiti në Lindjen e Mesme, bashkë me Asllanin dhe Ramadanin.

Me siguri, emra të rëndësishëm dhe sot, në letër, “bërthama” e skuadrës, por gjithashtu drejt fundit të ciklit për shumë prej tyre. Maran ndoshta beson se eksperienca e tyre mund të ndihmojë të rinjtë Hasa, Shpendi, Mehmeti, Muçi, Çakë, Dajsinani e Kërtoja, por rruga mbetet ende shumë e gjatë dhe koha për italianin nuk premton.

Sot ai është në një pozitë delikate dhe ndoshta për Shqipërinë mund të vijnë kohë edhe më të turbullta. Prandaj, ndoshta bën mirë që të nxjerrë në pah cilësitë e trajnerit tipik italian, ku taktika mbulon mangësitë e një grupi që sot nuk identifikohet me talentin dhe prestigjin e të luajturit në klube të mëdha, por me faktin se duhet të rinisë gjithçka nga e para për të na dhuruar minimalisht kënaqësitë që na dha Sylvinho.

 

Pirro Bardhyli