Haaland Mund të largohet nga Man.City, Bayern në skenë

Në pritje të firmës së Harry Kane, një marrëveshje që po vonon më shumë nga sa pritej, mediat angleze kanë hedhur një tjetër skenar të bujshëm në merkato, që mund të shkaktojë një efekt domino të fortë. Sipas raportimeve nga ishulli, Erling Haaland, pavarësisht se ka kontratë me Manchester Cityn edhe për tetë vite të tjera, po mendon largimin nga klubi në verën e vitit 2027.

Pas një largimi të mundshëm të Pep Guardiolës, sulmuesi norvegjez po konsideron gjithashtu një aventurë të re, në kërkim të një ekipi dhe sfidash të reja. Në këtë skenar hyn në lojë Bayern Munich, klub që prej kohësh ka shfaqur interes për ta rikthyer Haalandin në Bundesligë.

Megjithatë, largimi i sulmuesit kryesor të Manchester Cityt nuk do të ishte aspak i lehtë, ndërsa konkurrenca për shërbimet e tij pritet të jetë e madhe. Në Spanjë, Barcelona dhe Real Madridi janë gjithashtu të gatshëm të investojnë shifra të konsiderueshme për të siguruar kartonin e Haalandit.

Për Bayern Munich, situata është edhe më e ndërlikuar, pasi drejtuesit e klubit po punojnë për rinovimin e kontratës me Harry Kane, me synimin për ta zgjatur bashkëpunimin edhe për dy ose tri vite të tjera. Nëse Kane rinovon, do të ishte thuajse e pamundur që Bayern të hidhej në sulm për Haalandin, të paktën jo pa u larguar fillimisht sulmuesi anglez.

Interesant është fakti se raportimet për një largim të mundshëm të Haalandit nga Manchester City vijnë vetëm një ditë pasi mediat spanjolle shkruanin se Harry Kane mund të transferohet te Barcelona në fund të këtij sezoni, nëse Bayern Munich nuk plotëson kushtet e tij. Një situatë që mund të krijojë një zinxhir lëvizjesh të mëdha në merkaton e sulmuesve.