Bjellorusia një vit pa humbje

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan këtë të shtunë ndeshjen e parë të këtij edicioni në Ligën e Kombeve përballë Bjellorusisë, një përfaqësuese që nuk është më ajo me pretendimet që kishte dikur dhe që, pak nga pak, ka rrëshqitur larg skenave të rëndësishme të futbollit europian. Megjithatë, ekipi aktual, ndonëse pa yje, po shfaq një formë ndryshe nga e kaluara dhe ka dhënë sinjale pozitive. Drejtimin e ekipit që në janar e ka marrë një emër i njohur, Viktor Gonçarenko, i cili kulmin e karrierës së tij e kishte kur drejtonte CSKA-në e Moskës. Në atë periudhë, ai ia doli të mposhte dy herë Real Madridin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, duke treguar se ishte një trajner me shumë perspektivë, edhe pse nuk u largua kurrë nga futbolli lindor.

Gonçarenko tashmë drejton një ekip që nuk njeh humbje prej gjashtë ndeshjesh, me të fundit të regjistruar më 12 tetor 2025 ndaj Skocisë, me shifrat 2-1. Danimarkë-Bjellorusi 2-2 dhe Bjellorusi-Greqi 0-0 ishin dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve të Botërorit, ndërsa më pas erdhën katër miqësore, me fitore ndaj Qipros, Armenisë dhe Sirisë, si dhe një barazim ndaj Burkina Fasos. Në këto kushte, Shqipëria do të përballet me një kundërshtar që, pavarësisht emrit më pak të spikatur se në të kaluarën, po kalon një moment pozitiv dhe vjen në këtë përballje me një seri prej gjashtë ndeshjesh pa humbje.