Lewis Hamilton ka reaguar publikisht ndaj lajmeve që e lidhnin me kërkesa për ndryshime në stafin e Ferrarit, duke mohuar kategorikisht pretendimet për përplasje me anëtarë të ekipit të garave. “Nuk kam kërkuar kurrë që dikush nga ekipi im të zëvendësohej”, shkroi Hamilton në rrjetet sociale.
Sipas raportimeve të fundit, shtatë herë kampioni i botës kishte kërkuar një riorganizim të strukturës së skuadrës. Madje, disa pretendime flisnin për presion të tij ndaj drejtuesve të Ferrarit për largimin e disa pjesëtarëve. Hamilton vendosi t’u përgjigjej personalisht këtyre zërave dhe të sqaronte situatën. “Të gjithë njerëzit me të cilët punoj angazhohen fort çdo ditë dhe përkushtimi i tyre na mundëson të ecim përpara”, theksoi ai.
Reagimi vjen pas disa kritikave të britanikut ndaj mënyrës së menaxhimit të skuadrës nga Fred Vasseur. Në qendër të diskutimeve ishte edhe dueli me Charles Leclerc në kthesën e dytë në Monza. Hamilton kishte shprehur pakënaqësi edhe për faktin se urdhrat e skuadrës, sipas tij, duhej të ishin dhënë më herët.
Megjithatë, piloti 41-vjeçar mohoi se këto kritika nënkuptonin kërkesa për largimin e njerëzve nga ekipi. “Gjithmonë përpiqem t’u jap forcë njerëzve dhe t’i ndihmoj të jenë versioni më i mirë i vetvetes”, shkroi Hamilton. “Ne të gjithë punojmë së bashku dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, përfundoi ai, duke i dhënë fund spekulimeve për një përçarje të brendshme.

