James Rodriguez i jep lamtumirën Kolumbisë

James Rodriguez nuk do ta veshë më fanellën e Kombëtares së Kolumbisë. Legjenda e “Cafeteros” ka njoftuar tërheqjen nga përfaqësuesja përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke i dhënë fund një kapitulli të rëndësishëm të karrierës së tij. Sulmuesi kolumbian është lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Kombëtares, me 131 ndeshje, 31 gola dhe 40 asistime. Në mesazhin e tij të ndarjes, James falënderoi vendin dhe tifozët për çdo moment të përjetuar me fanellën kombëtare.

“Faleminderit për çdo ndeshje, çdo gëzim, çdo lot dhe çdo ëndërr të ndarë. Të mbrosh ngjyrat e Kombëtares së Kolumbisë ka qenë një nga nderet më të mëdha të jetës sime. Faleminderit, Kolumbi. Përgjithmonë”, shkroi ai. James u shfaq në skenën ndërkombëtare në mënyrë spektakolare gjatë Kupës së Botës 2014, ku udhëhoqi Kolumbinë deri në çerekfinale, përpara eliminimit nga Brazili. Në atë turne, ai shënoi gjashtë gola dhe fitoi “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i kompeticionit. Paraqitjet e tij në Brazil bënë që Real Madridi të investonte për transferimin e tij, duke nisur një tjetër kapitull të madh në karrierën e mesfushorit. Ndeshjet e fundit me Kolumbinë erdhën në Kupën e Botës 2026, ku “Cafeteros” u eliminuan në fazën e 1/8-ve nga Zvicra pas gjuajtjeve të penalltive. Pas 131 ndeshjesh, 31 golash dhe 40 asistimesh, James Rodriguez i jep fund aventurës së tij me Kombëtaren, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë e futbollit kolumbian.