UEFA ndryshon futbollin e kombëtareve, nga 2028 format i ri në stilin e Champions League

Futbolli i kombëtareve në Europë pritet të ndryshojë ndjeshëm nga viti 2028, teksa UEFA planifikon të miratojë një format të ri për Nations League dhe fazat kualifikuese të Kampionateve Europiane dhe Kupës së Botës, duke sjellë një sistem të ngjashëm me atë të përdorur në Champions League. Vendimi pritet të ratifikohet këtë javë në Selanik, në një periudhë kur futbolli europian po përgatitet për ndryshime të rëndësishme edhe në kalendarin ndërkombëtar, ndërsa në fund të këtij muaji do të zhvillohet edhe grumbullimi i parë i dyfishtë i kombëtareve, me ndeshjet që do të shtrihen në dy fundjava, ku çdo përfaqësuese do të luajë katër ndeshje në vend të dy që zhvilloheshin zakonisht në një dritare ndërkombëtare.

Sa i përket formatit të ri, UEFA planifikon krijimin e një lige me 36 kombëtare, ku do të përfshihen ekipet më të mira të kontinentit dhe secila përfaqësuese do të luajë gjashtë ndeshje, tri në shtëpi dhe tri jashtë, ndaj kundërshtarëve të niveleve të ndryshme. Shorti do t’i ndajë ekipet në tri vazo, ndërsa përballjet do të përcaktohen sipas nivelit të kundërshtarëve, në një sistem të ngjashëm me fazën e ligës në Champions League, ku renditja përcaktohet pas një numri të caktuar ndeshjesh dhe diferencat minimale në pikë apo gola mund të ndryshojnë ndjeshëm pozicionet. UEFA e konsideron formatin aktual të eliminatoreve të kombëtareve si monoton dhe jo mjaftueshëm konkurrues, ndaj synon të krijojë më shumë përballje të forta dhe interes për transmetuesit televizivë. Në sfond qëndron edhe rivaliteti me FIFA-n për kontrollin dhe drejtimin e futbollit botëror, ndërsa UEFA synon të shfrytëzojë suksesin e Champions League për të krijuar një “Champions League” të re, këtë herë për kombëtaret.