FIFA hap Akademinë e Talenteve në Kosovë, e para e këtij lloji në Ballkan

Kosova ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit, pasi FIFA ka hapur zyrtarisht Akademinë e Talenteve në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Bëhet fjalë për akademinë e parë të këtij lloji në Ballkan, ndërsa në Evropë është njëra prej vetëm katër Akademive të Talenteve të FIFA-s që janë aktualisht aktive. Projekti është plotësisht funksional që nga fillimi i vitit 2026 dhe synon të krijojë një model të avancuar për zhvillimin e futbollistëve të rinj. Talentet stërviten katër ditë gjatë javës në akademi, ndërsa në fundjavë vazhdojnë të jenë pjesë e klubeve të tyre dhe të luajnë ndeshjet përkatëse.

Një element i rëndësishëm i projektit është edhe krijimi i një akademie paralele për vajza, me synimin që zhvillimi i talenteve të bëhet mbi bazën e mundësive të barabarta. Në ceremoninë e zhvilluar në Hajvali ishin të pranishëm drejtues të Federatës së Futbollit të Kosovës, përfaqësues të FIFA-s, trajnerë të Kombëtares së Kosovës, përfaqësues të klubeve të Superligës, ish-futbollistë të gjeneratës së artë, si dhe prindër të futbollistëve të rinj. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e cilësoi këtë projekt si një moment të veçantë, duke shprehur dëshirën që futbollistët e rinj të akademisë në të ardhmen të bëhen pjesë e Kombëtares së Kosovës. Akademia është pjesë e Talent Development Scheme (TDS) të FIFA-s, programit global për zhvillimin e talenteve, i udhëhequr nga ish-trajneri i Arsenalit, Arsène Wenger.