Milot Rashica po përjeton një situatë të vështirë te Besiktashi, me klubin turk që raportohet se dëshiron me çdo kusht largimin e tij. 30-vjeçari nuk ishte as në stol në ndeshjen e fundit, duke shtuar edhe më shumë pikëpyetjet për të ardhmen e tij. Sipas raportimeve, Besiktashi është gati të shlyejë detyrimet financiare ndaj Rashicës vetëm që ai të largohet nga skuadra, por lojtari kosovar nuk dëshiron të largohet dhe thuhet se është shprehur i lumtur në Stamboll.
Kjo përplasje mund ta vendosë Rashicën përballë një situate të pazakontë në karrierë, pasi ekziston mundësia që Besiktashi ta lërë jashtë skuadrës dhe ta mbajë në tribunë për një pjesë të madhe të sezonit. Rashicës i ka mbetur edhe një vit në kontratën me klubin turk, të cilit iu bashkua në vitin 2023, ndërsa Besiktashi pagoi rreth 5 milionë euro për kartonin e tij kur e bleu nga Norwich. Ndërkohë, interes për shërbimet e tij ka shfaqur Erzurumspor, por deri tani nuk ka pasur marrëveshje. Problemi kryesor mbetet vetë dëshira e Rashicës për të vazhduar aventurën te Besiktashi dhe, nëse palët nuk gjejnë një zgjidhje, situata mund të kthehet në një problem serioz për futbollistin e Kosovës. Rashica tashmë rrezikon të humbasë minutat e lojës dhe ritmin konkurrues pikërisht në një fazë të rëndësishme të sezonit, ndërsa të ardhmen e tij pritet ta përcaktojnë ditët në vijim, me Besiktashin që duket se e ka bërë të qartë qëndrimin e tij.

