Ish-lojtari i Portos zhduket prej një jave

Ish-mesfushori hungarez Ákos Buzsáky, i njohur për periudhën e tij te Queens Park Rangers dhe FC Porto, rezulton i zhdukur prej rreth një jave, ndërsa policia hungareze ka nisur kërkimet për 44-vjeçarin që prej 18 gushtit. Lajmi ka ngritur shqetësim te familjarët e ish-futbollistit, ndërsa babai i Buzsáky-t ka treguar për gazetën hungareze “Blikk” se kontakti i fundit me djalin e tij ishte një javë më parë, kur ai ndodhej në shtëpi.

“Biseda jonë e fundit ishte javën e kaluar, kur ai ishte në shtëpi”, ka treguar babai i tij, duke shtuar se nuk kishte dijeni se 44-vjeçari ishte shpallur i zhdukur. Buzsáky ka kaluar periudha të gjata në Greqi, ku merret me punë në sektorin e ndërtimit, dhe kjo është një prej pistave që po merret në konsideratë për vendndodhjen e tij, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet. Ish-mesfushori ka një karrierë të rëndësishme në futbollin europian. Ai ishte pjesë e FC Porto-s së drejtuar nga José Mourinho dhe në vitin 2003 fitoi Kupën UEFA, trofe që sot njihet si Europa League. Në karrierën e tij, Buzsáky luajti gjithashtu për Queens Park Rangers dhe përfaqësoi Hungarinë në 20 ndeshje me kombëtaren.