Shqipëria merr medaljet e para në Lojërat Mesdhetare

Shqipëria ka siguruar medaljet e para në Lojërat Mesdhetare që po zhvillohen në Taranto të Italisë, me sportin e mundjes që po i dhuron vendit rezultate të rëndësishme.

Ardit Zeneli ishte i pari që u ngjit në podium, duke fituar medaljen e bronztë në stilin greko-romak, në kategorinë deri në 67 kilogramë. Mundësi shqiptar triumfoi 9-8 ndaj grekut Stavros Ntounias, në një duel të vështirë që nuk e nisi në mënyrën më të mirë, por që arriti ta përmbysë në favorin e tij. Ndërkohë, Shqipëria ka siguruar të paktën dy medalje të argjendta, me Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev që kanë kaluar në finalet e kategorive të tyre në stilin e lirë. Të dy do të luftojnë për medaljen e artë.

Abakarov garoi në kategorinë deri në 65 kilogramë. Ai mposhti fillimisht egjiptianin Eman 3-0, ndërsa në sfidën e radhës fitoi 6-2 ndaj sirianit Dirki. Në finale, shqiptari do të përballet me turkun Duman. Edhe Islam Dudaev ka zhvilluar një paraqitje bindëse në kategorinë deri në 74 kilogramë. Ai mposhti 11-2 kosovarin Egzon Xhoni, ndërsa në çerekfinale kaloi pa probleme grekun Georgios Ioakeimidis me rezultatin 10-0. Në gjysmëfinale, Dudaev triumfoi 3-1 ndaj spanjollit Mohammad Mottaghinia dhe siguroi finalen ndaj Fati Vejselit të Maqedonisë së Veriut. Abakarov dhe Dudaev do të zbresin në tapet pasditen e së hënës, me synimin për t’i dhuruar Shqipërisë medaljet e arta.