Egnatia dhe Dinamo, kualifikimi vendoset pas një jave

Janë mbyllur në barazim dy sfidat e skuadrave shqiptare në kupat e Europës duke lënë gjithçka të hapur në transfertat respektive. Asnjë gol në sfidën Egnatia-Lillestrom, e vlefshme për Play Off-in e Europa League, ndeshje e transmetuar drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Në një stadium të mbushur plot, traversa i mohon golin Grudës në pjesën e dytë. Kualifikimi mbetet i hapur dhe gjithçka do të vendoset pas një jave në ndeshjen e kthimit në Norvegji. Dinamo ka barazuar 1-1 me Pafos në “Elbasan Arena” në ndeshjen e parë të Play Off-it të Conference League.

Pjesa e parë e sfidës është mbyllur në barazim pa gola 0-0, por duhet theksuar se qipriotët kanë humbur një 11-metërsh. David Luiz ka goditur jashtë penalltinë e gjuajtur në minutën e 37-të. Dinamo kalon në avantazh me Fadairon, por qipriotët barazojnë rezultatin pak minuta më vonë me penallti. Mbyllet pa fitues, në barazim 1-1 ndeshja në Elbasan. Kualifikimi mbetet i hapur dhe Dinamo do të synojë fitoren e madhe në ndeshjen e kthimit në Qipro pas një jave.