Presidenti i Federatës Hungareze të Futbollit dhe një prej tetë zëvendëspresidentëve të FIFA-s, Sándor Csány, ka njoftuar tërheqjen e mbështetjes së tij për presidentin e organizmit qeverisës të futbollit botëror, Gianni Infantino. Vendimin, Csány e ka bërë të ditur përmes një letre drejtuar Infantinos, ku shprehet hapur se ka humbur besimin që kishte te drejtuesi i FIFA-s.
“Kam humbur besimin që më parë kisha te presidenti i FIFA-s, për shkak të vendimeve që u shërbejnë interesave politike më shumë sesa atyre të futbollit”, shkruan Csány në letrën e tij.
Ky zhvillim vjen pas muajsh debatesh dhe kritikash ndaj Infantinos, veçanërisht për projektin tashmë të braktisur për shitjen e kuotave të Botërorit te investitorë privatë. Megjithatë, sipas zëvendëspresidentit hungarez të FIFA-s, vendimi që e bëri të pakthyeshëm qëndrimin e tij ishte shkarkimi i papritur i Kevin Lamour, drejtues operacional i federatës botërore të futbollit.
“Pika që mbushi kupën ishte shkarkimi i papritur i Kevin Lamour”, thekson Csány.
Tërheqja e mbështetjes nga një prej tetë zëvendëspresidentëve të FIFA-s përbën një goditje të re për Gianni Infantinon, i cili prej muajsh është përballur me kritika dhe kundërshtime për disa prej vendimeve dhe projekteve të tij në drejtimin e futbollit botëror. Qëndrimi i Csány pritet të shtojë edhe më shumë presionin ndaj presidentit të FIFA-s dhe të hapë një debat të ri brenda strukturave drejtuese të organizatës.

