Taulant Seferi ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij të re në futbollin turk. Sulmuesi shqiptar ka shënuar që në ndeshjen e debutimit me fanellën e Kayserisporit. Seferi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e nëntë ndaj Vansporit, në duelin e vlefshëm për javën e parë. Ai realizoi golin që i dha avantazhin 0-1 skuadrës së tij në këtë përballje.
Një debutim fantastik për 29-vjeçarin, i cili nuk humbi kohë për të treguar vlerat e tij.Goli erdhi vetëm pak orë pasi Kayserispori kishte zyrtarizuar afrimin e sulmuesit shqiptar. Kështu, Seferi ka nisur menjëherë të lërë gjurmë te skuadra e re. Tashmë sulmuesi kuqezi shpreson të vazhdojë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme. Një start i tillë është padyshim sinjali më i mirë për aventurën e tij të re në Turqi.

