Nedim Bajrami ka nisur një aventurë të re në karrierën e tij. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është zyrtarisht futbollist i Al Taawoun, skuadër që militon në elitën e futbollit saudit. 27-vjeçari largohet nga Rejnxhërs, ku prej kohësh nuk bënte më pjesë në planet e klubit skocez. Transferimi është realizuar në formë huazimi, ndërsa marrëveshja përfshin edhe një opsion blerjeje me vlerë 2.5 milionë paund.
Al Taawoun i ka rezervuar një pritje të veçantë lojtarit shqiptar. Në videon e prezantimit të publikuar nga klubi, Bajrami është cilësuar si “magjistari”, një epitet që vlerëson cilësitë e tij teknike dhe aftësinë për të bërë diferencën në fazën sulmuese. Tashmë, fantazisti kuqezi synon të rigjejë vazhdimësinë dhe formën më të mirë në kampionatin saudit, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij dhe duke synuar të jetë protagonist me fanellën e Al Taawoun.

