Tifozët e Spartakut sulmojnë Mirlind Dakun me pankartë fyese

Transferimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartak Moska ka ndezur polemika të forta në Rusi, madje edhe përpara se marrëveshja të bëhet zyrtare. Grupi ultras i klubit, “Crazy North”, ka dalë publikisht kundër afrimit të sulmuesit të Kombëtares së Shqipërisë, duke shfaqur një pankartë me mesazh ofendues ndaj tij dhe shqiptarëve. Në një postim në kanalin e tyre në Telegram, tifozët deklaruan se kundërshtojnë plotësisht transferimin e Dakut, duke theksuar mbështetjen për popullin serb dhe duke përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.

Në pankartën e shfaqur prej tyre lexohej mesazhi: “Fundërrina shqiptare jashtë!”. Megjithatë, reagimi i tifozëve nuk pritet të ndikojë në operacionin e merkatos. Sipas mediave ruse, Spartak Moska ka arritur marrëveshje me Dakun për kushtet personale dhe zyrtarizimi i transferimit pritet të ndodhë në ditët në vijim. Sulmuesi 28-vjeçar pritet të largohet nga Rubin Kazan, ku zhvilloi 93 ndeshje dhe realizoi 38 gola, duke u konfirmuar si një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit rus.