Kampionati Ballkanik i Xhudos në Tiranë, Shqipëria merr 6 medalje

Tirana priti me sukses Kampionatin Ballkanik të Xhudos për Seniorë dhe Veteranë, ku morën pjesë rreth 170 sportistë nga 10 vende të rajonit. Eventi, i organizuar nga Federata Shqiptare e Xhudos në bashkëpunim me Federatën Ballkanike, u shoqërua me një organizim të nivelit të lartë dhe një atmosferë festive. Shqipëria e mbylli kampionatin me gjashtë medalje. Gabriel Gonsan (-60 kg) dhe Indrit Çullhaj (-81 kg) fituan medaljet e arta, ndërsa Ejsi Ahmeti (-60 kg) dhe Kasandra Kovaçi (-63 kg) u shpallën nënkampionë të Ballkanit. Devi Ceka dhe Krista Kovaçi kompletuan suksesin me dy medalje bronzi.

Një nga protagonistët e aktivitetit ishte Indrit Çullhaj, i cili dominoi kategorinë deri në 81 kilogramë dhe konfirmoi statusin e tij si një nga xhudistët më të mirë të rajonit. Në garën ekipore (Mixed Team), Shqipëria siguroi medaljen e bronztë, duke u renditur në vendin e tretë së bashku me Turqinë, ndërsa Mali i Zi u shpall kampion dhe Rumania zuri vendin e dytë. Megjithatë, skuadra më e suksesshme e kampionatit ishte Kosova. “Dardanët” fituan plot nëntë medalje, pesë prej tyre të arta, tri të argjendta dhe një të bronztë. Kampionë të Ballkanit u shpallën Erza Muminoviq, Laurina Gashi, Flaka Loxha, Elvira Ukaj dhe Dardan Cena, duke konfirmuar edhe një herë Kosovën si superfuqinë e xhudos në rajon.