De Rossi mahnitet nga Mario Mitaj

Mario Mitaj ka marrë vlerësime maksimale nga trajneri i Genoas, Daniele De Rossi, edhe pse mbrojtësi shqiptar nuk debutoi në miqësoren ndaj Leicesterit. Kampioni i Botës me Italinë në vitin 2006 shpjegoi se vendosi të mos e aktivizonte për shkak të ngarkesës fizike, por nuk i kurseu elozhet për afrimin më të ri të skuadrës.

“Ai ka cilësi të shkëlqyera. E nxjerr ekipin mirë përpara me top, di të sulmojë dhe ka shpejtësi. Edhe pse nuk është një ‘dollap’, ai është shumë i fortë fizikisht dhe luan me inteligjencë. Më kujton lojtarë si Martin ose Angeliño”, deklaroi De Rossi. Trajneri italian theksoi se Mitaj do t’i japë më shumë cilësi Genoas dhe la të kuptohet se mbrojtësi i Kombëtares shqiptare mund të përdoret edhe në role të tjera në fushë.

Sipas De Rossit, lojtari ndihet mirë fizikisht, por nuk u aktivizua për të shmangur çdo rrezik pas transferimit dhe procedurave të fundit me klubin. Ai shtoi se Mitaj është pak prapa pjesës tjetër të skuadrës në përgatitje, por bazuar në testet fizike pritet të jetë shumë shpejt në dispozicion të plotë të ekipit.