Shkëlqen Dinamo, shkatërron Aluminij

Dinamo ka zhvilluar një mbrëmje perfekte në “Elbasan Arena”, duke mposhtur 3-0 Aluminijn dhe duke siguruar kualifikimin në turin e tretë të Conference League.

Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë, blutë e kryeqytetit dominuan plotësisht ndeshjen e kthimit dhe vulosën kalimin me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Skuadra e Ilir Dajës e zhbllokoi takimin në minutën e 24-t me anë të Liridon Vilës, i cili finalizoi me saktësi një asist të Berishës. Pak çaste para pushimit, Klevis Qefalia dyfishoi shifrat pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Ismaili, duke i dhënë qetësi Dinamos.

Në pjesën e dytë, vendasit vazhduan të kontrollonin lojën dhe në minutën e 78-të Françesk Përndreca shënoi golin e tretë pas asistit të Alijit, duke vulosur triumfin e merituar. Dinamo ishte superiore në çdo aspekt, duke dominuar edhe statistikat e ndeshjes me 62% zotërim topi dhe 11 goditje ndaj 6 të kundërshtarit. Me këtë fitore bindëse, Dinamo vijon rrugëtimin europian në turin e tretë të Conference League.