Lisandro Martinez shpjegon pse Argjentina i ktheu shpinën ceremonisë

Mes shumë sjelljeve larg frymës së sportivitetit dhe “fair play” që futbollistët e Argjentinës shfaqën gjatë dhe pas finales së Botërorit 2026 të humbur ndaj Spanjës pas kohës shtesë, një nga më të kritikuarat ishte fakti që ata u kthyen me shpinë ndaj kundërshtarëve gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve. Nëse ndërhyrjet e ashpra dhe gjestet e pahijshme gjatë ndeshjes mund të justifikoheshin disi me tensionin e finales, ajo që ndodhi disa minuta më vonë, kur adrenalina kishte rënë dhe respekti duhej të mbizotëronte, nuk gjen asnjë justifikim.

Megjithatë, disa ditë pas finales, Lisandro Martinez dha një version krejt tjetër të ngjarjes, duke pretenduar se ishte vetëm “një moment” në të cilin nuk kishin zgjidhje tjetër. Një shpjegim që duket i pabesueshëm, pasi mjafton të rishihen pamjet për të kuptuar se ngjarja nuk ndodhi ashtu siç e përshkruan ai.

“jë javë pas finales në stadiumin “MetLife” të Nju Jorkut, Lisandro Martinez u prit si hero në qytetin e tij të lindjes, Gualeguay. Pasi falënderoi të gjithë për mbështetjen, mbrojtësi 28-vjeçar i Argjentinës dhe Manchester United foli edhe për valën e kritikave ndaj kombëtares së tij gjatë Botërorit, e cila kulmoi me peticionin e firmosur nga miliona njerëz që kërkonin përjashtimin e Argjentinës nga Botërorët e ardhshëm. “Kjo më zemëron pak, sepse nuk kanë asnjë arsye për këtë urrejtje. Thonë se jemi arrogantë, por ndoshta kjo tregon më shumë për ata që e thonë sesa për ne. Ne kemi qenë gjithmonë respektues ndaj kundërshtarëve tanë”, deklaroi ai.

Lidhur me episodin e ceremonisë së medaljeve, Lisandro dha këtë version: “Është thënë se nuk e respektuam Spanjën, por ne përshëndetëm të gjithë lojtarët dhe stafin teknik. Ishim aty. Pamja ku dukemi me shpinë është sepse në atë moment po shikonim tifozët tanë, të cilët po na duartrokisnin dhe këndonin. Ishte një shenjë respekti ndaj tifozëve tanë të qëndronim aty.”