UEFA kundër Infantinos, bojkoton Kupën e Botës

UEFA, së bashku me 55 federatat e saj anëtare, raportohet se ka paralajmëruar një bojkot të Kupës së Botës dhe të çdo turneu tjetër të organizuar nga FIFA, nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk tërhiqet nga ideja për t’ua shitur kompeticionin investitorëve privatë.

Në një deklaratë të fortë, UEFA thekson se Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi, duke e cilësuar atë si një prej trashëgimive më të mëdha sportive të futbollit botëror.

“Kupa e Botës nuk është në shitje.”

Sipas UEFA-s, kompeticioni është ndërtuar ndër breza nga lojtarët, ekipet kombëtare dhe tifozët në çdo kontinent dhe nuk duhet t’u dorëzohet investitorëve privatë.

UEFA ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si është trajtuar propozimi, duke e konsideruar të papërgjegjshme që një çështje me rëndësi kaq të madhe për të ardhmen e futbollit të jetë diskutuar në fshehtësi dhe pa konsultim me aktorët kryesorë të sportit.

Për UEFA-n, kjo situatë përbën jo vetëm një “dështim të thellë të lidershipit”, por edhe një shmangie të përgjegjësisë së FIFA-s si kujdestare e futbollit botëror.