Pas eliminimit të rëndë në arenën europiane, klubi i Vllaznisë ka reaguar me një mesazh drejtuar tifozëve kuqeblu, duke kërkuar ndjesë për zhgënjimin e krijuar dhe duke shpjeguar situatën e përjetuar nga skuadra.
Në komunikatën zyrtare, drejtuesit e klubit theksojnë se Vllaznia u përball me vështirësi të jashtëzakonshme për shkak të çështjeve burokratike dhe proceduriale, të cilat e detyruan ekipin të luante në Kupat e Europës pa të gjithë kontigjentin e planifikuar.
“Ndjejmë detyrimin moral t’ju kërkojmë ndjesë për rezultatin dhe zhgënjimin që përjetuat së bashku me ne. Kjo situatë ndikoi ndjeshëm në ecurinë tonë europiane, por nuk e zvogëlon përgjegjësinë që kemi ndaj fanellës kuqeblu dhe ndaj jush”, thuhet në mesazhin e klubit.
Vllaznia falënderon tifozët për mbështetjen e vazhdueshme dhe premton se fokusi tashmë është te sezoni i ri, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe për të luftuar për objektivat e klubit.
Kampionati i ri nis më 22 gusht dhe drejtuesit bëjnë me dije se puna do të vijojë për përforcimin e skuadrës dhe përmirësimin e çdo aspekti të lojës.
Në fund, klubi shkodran ka falënderuar edhe FC Malishevën për mikpritjen dhe korrektësinë gjatë përballjes europiane, duke i uruar suksese në vazhdim të rrugëtimit ndërkombëtar.
“Synimi ynë është i qartë: të rikthejmë Vllazninë aty ku i takon, në majat e futbollit shqiptar dhe me paraqitje dinjitoze në çdo kompeticion.”

