Kristjan Asllani mbetet në qendër të vëmendjes në merkaton e verës, me Beshiktashin që kërkon të rikthehet për ta transferuar përfundimisht mesfushorin shqiptar nga Interi. Klubi turk, pas periudhës së huazimit të lojtarit, po përgatit një ofertë të re, me synimin për të ulur kërkesat financiare të Interit dhe për të arritur një marrëveshje për transferim të përhershëm. Sipas mediave sportive në Itali dhe Turqi, pengesa kryesore mbetet vlera e kartonit të 24-vjeçarit, që nga Interi vlerësohet rreth 11 milionë euro.
Ky çmim konsiderohet i lartë nga Beshiktashi, i cili po kërkon kushte më të favorshme. Interi, nga ana e tij, synon të përfitojë nga shitja e mesfushorit shqiptar për të financuar afrimet e reja në repartin e mesfushës gjatë kësaj merkatoje. Sipas raportimeve të “Tuttosport”, Beshiktashi pritet të rikthehet në negociata sapo të krijohen kushtet e duhura për një marrëveshje. Në garë për Asllanin është rikthyer edhe Kaljari, i cili po shqyrton mundësinë e një oferte të re pas interesit të mëparshëm tërhequr për shkak të kërkesave financiare të Interit.

