Messi hyn në histori me tri rekorde në Botëror

Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, vazhdon të shkruajë historinë e futbollit botëror. Falë tripletës së realizuar në fitoren 3-0 ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse të Botërorit 2026, ylli argjentinas arriti në kuotën e 16 golave në Kupën e Botës, duke barazuar rekordin absolut të mbajtur prej vitesh nga legjenda gjermane Miroslav Klose.
Mbrëmja në Kansas City ishte e veçantë në shumë aspekte për Messin. Ai zbriti në fushë për ndeshjen e tij të 200-të zyrtare me fanellën e Argjentinës dhe u bë futbollisti i parë në histori që merr pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës, nga Gjermania 2006 deri te Botërori i vitit 2026. Në moshën 38-vjeçare, sulmuesi i Argjentinës vendosi edhe një rekord tjetër, duke u bërë lojtari më i moshuar që realizon një tripletë në një ndeshje të Botërorit.

Tre golat ndaj Algjerisë jo vetëm që i siguruan fitoren kampionëve në fuqi të botës, por e ngjitën Messin në majën e renditjes së golashënuesve më të mirë në historinë e turneut. Pas këtij suksesi historik, Messi ka mundësinë që në ndeshjet e ardhshme të lërë pas Klosen dhe të bëhet i vetëm mbreti i golave në historinë e Kupës së Botës.