E ardhmja e Vedat Muriqit duket gjithnjë e më larg Mallorca-s. Sulmuesi kosovar pritet të largohet gjatë kësaj vere nga klubi spanjoll, pas një sezoni fantastik ku realizoi 23 gola dhe mbeti vetëm dy realizime larg Kylian Mbappé-së në garën për “Pichichi”-n.
Sipas raportimeve nga mediet turke, destinacioni i ardhshëm i ‘bomberit’ dardan mund të jetë Fenerbahçe, skuadër ku ai luajti gjatë sezonit 2019-2020 dhe ku la mbresa të mëdha me paraqitjet e tij. Emri i Muriqit po përmendet si një nga kartat më të forta të Aziz Yildirim, kandidat për president të klubit nga Stambolli, i cili dëshiron ta rikthejë sulmuesin në Turqi për të ndezur entuziazmin e tifozëve.
Nga ana tjetër, Mallorca nuk do të pengonte largimin e lojtarit, por vetëm nëse oferta arrin në 18 milionë euro. Klubi spanjoll e vlerëson shumë kontributin e sulmuesit të Kosovës dhe nuk ka ndërmend ta lërë të largohet për një shumë më të ulët. Pas sezonit të shkëlqyer në La Liga, interesimi për Muriqin është rritur ndjeshëm, ndërsa rikthimi në Turqi mund të jetë një hap i rëndësishëm në karrierën e tij. Fenerbahçe kërkon një sulmues me eksperiencë dhe gola, ndërsa profili i Muriqit përshtatet plotësisht me projektin e ri të klubit turk.

