Tenisti çek Jakub Mensik përjetoi një moment të frikshëm në French Open, teksa u rrëzua në fushë menjëherë pas fitores dramatike ndaj argjentinasit Mariano Navone në raundin e dytë të turneut.
20-vjeçari triumfoi pas një ndeshjeje të lodhshme prej 4 orësh e 41 minutash me rezultatin 6-3, 2-6, 6-4, 1-6, 7-6 (13-11), por sapo realizoi pikën fituese, trupi i tij nuk rezistoi më. Mensik ra në tokë i kapluar nga ngërçet dhe lodhja ekstreme, ndërsa temperaturat në Paris kishin kaluar 35 gradë Celsius.
Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë, duke i vendosur akull në kokë, qafë dhe kraharor, ndërsa tenisti qëndroi për disa minuta i shtrirë në fushë. Kundërshtari Navone kaloi rrjetën për ta ndihmuar dhe për ta përgëzuar pas sfidës së jashtëzakonshme sportive.
“Kur fitova pikën e fundit, emocionet shpërthyen dhe trupi im thjesht u fik,” deklaroi Mensik pas ndeshjes. Ai kritikoi gjithashtu organizatorët për zhvillimin e ndeshjeve në temperatura kaq të larta, duke e quajtur situatën “të çmendur”. Sipas tenistit çek, lojtarët nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’u freskuar gjatë pushimeve mes seteve dhe pikëve, çka e bën edhe më të vështirë përballimin e kushteve ekstreme.
Vala e të nxehtit ka krijuar probleme për shumë tenistë në Roland Garros. Edhe Novak Djokovic sugjeroi që organizatorët të zhvillojnë më shumë ndeshje në mbrëmje për të shmangur temperaturat përvëluese, ndërsa Casper Ruud pranoi se ishte ndjerë “si një zombie” gjatë ndeshjes së tij të parë në turne. Pavarësisht gjendjes alarmante pas ndeshjes, Mensik bëri të ditur se kishte nisur menjëherë rikuperimin me banjë akulli dhe se synon të jetë gati për sfidën e raundit të tretë ndaj australianit Alex de Minaur.
sfidanti.al

