Luka Modric duket se e ka vendosur përfundimisht të ardhmen e tij. Sipas raportimeve nga mediet italiane, mesfushori kroat dëshiron të vazhdojë edhe një sezon tjetër me Milani, përpara se të nisë një aventurë të re si pjesë e stafit teknik të trajnerit Massimiliano Allegri. Sipas “Corriere dello Sport”, marrëdhënia shumë e mirë mes Modric-it dhe Allegrit ka bërë që të lindë një ide interesante për të ardhmen. Kroati synon të luajë edhe një vit tjetër në Serinë A pas Kupës së Botës dhe më pas të nisë karrierën si trajner, pikërisht në stafin e Allegrit.
Megjithatë, për të vazhduar me fanellën kuqezi ekzistojnë dy kushte të rëndësishme. I pari është që Allegri të mbetet trajner i Milanit edhe sezonin e ardhshëm, ndërsa i dyti ka të bëjë me kualifikimin e skuadrës në UEFA Champions League. Në rast se Milani nuk arrin të sigurojë pjesëmarrjen në Champions League, atëherë Modric mund të largohet për një sezon drejt një klubi tjetër, përpara se t’i bashkohet më vonë Allegrit në stafin teknik.
Ndërkohë, veterani kroat do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Cagliari-t, sfidë që konsiderohet vendimtare për sezonin e kuqezinjve. Pavarësisht moshës, Modric ka zhvilluar një sezon shumë pozitiv me Milanin. Futbollisti i lindur në vitin 1985 ka luajtur 36 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar dy gola dhe tri asistime, me plot 2836 minuta në fushë.
Sfidanti.al

