Një pyetje me spec për presidentin Duka nga një besimtar i afërt : “ E mban mend se sa trajnerë ke sjellë tek Kombëtarja?” Përgjigja e presidentit ishte origjinale këtë herë, pyetjen nuk e kishte bërë gati vetë: “Një ditë takova një person dhe e pyeta se po më dukej si fytyrë e njohur. E dini çfarë më tha? Kam qënë trajner me Kombëtaren..!”
Morali është i thjeshtë: presidentët, sidomos ata që plaken duke plakur futbollin, nuk mbajnë mend, detyra është e jona të mbajmë rradhën dhe të gjejmë i sati është italiani i fundit.. Rolando Maran. Punë e madhe se kush e solli dhe qokë e kujt është këtë herë. Pale kur vihen baste se ku vuri këmbë në fillim Marani ..tek kryeministria apo tek FSHF-ja.
Çfarë na kujton ky Marani? Një trajner italian që zakonisht ka drejtuar në Serinë A ekipet që rrezikonin të binin në Serinë B, kurse tek ne ka ardhur me misionin “sekret” për të na çuar në Europian…jo për t’na shpëtuar nga rënia më poshtë..
E dini cila është pjesa më e bukur kur ndërrohen trajnerët? Në asnjë vend tjetër të botës nuk ndodh: trajneri i shkarkuar.. nuk ikën pa i dhënë “bekimin” trajnerit të ri. Kështu i pëlqen presidentit Duka dhe ndaj ndodh ky teatralitet , sa kur bëhet ceremonia, dy trajnerët janë aq të lumtur, sa nuk merret vesh cili ka ardhur dhe cili po ikën…
Sfidanti.al

