Tek Napoli kanë një shprehje për të ndihmuar që ta njohësh më mirë shqiptarin Elseid Hysaj: “ Flet pak dhe luan shumë në fushë”. A vlejnë këto fjalë edhe kur mbrojtësi është i veshur kuqezi ? Tingëllojnë të vërteta , por jo aq sa të bindin plotësisht. Hysaj mbetet më i miri edhe në ndeshjen më të keqe, dhe kjo më shumë në saj të talentit e më pas të shpirtit. Krejt ndryshe ndodh kur flet si kuqezi, duket se nuk është më ai i Napolit, por dikush që nuk del dot jashtë kasetës zyrtare. Dhe shëmbulli i fundit, ndeshja me Luksemburgun, zbulon se Hysaj është i shtrënguar që t’i largohet vetes profesionalisht, kur e dërgojnë të flasë për gjëra që nuk i përkasin botës së tij.. Pas një humbjeje që është arkivuar me meritë në muzeun e “tradhëtisë kuqezi”, nga ato që na paralajmërojnë fundin e dashurisë me trajnerët e huaj, fjalët e Elseidit duken sikur nuk kanë dalë nga goja e tij: “ Në këtë ndeshje ka ndikuar pak edhe arbitri i cili nuk na dha dy penallti. Megjithatë, edhe arbitri nuk ka faj se pësuam dy gola..” Kuptohet, nga kundërshtia e fjalëve se Zoti i ka dhënë talent për të luajtur me topin dhe jo për të dribluar me fjalët…
Në Itali, atje ku Hysaj është 24 karatsh dhe nuk shfaqet fare si një futbollist që ka zotësinë për të shpjeguar humbjet e pashpjegueshme, thonë se heshtja është flori, kur fjala që do të thuash nuk vlen aspak, pale kur gënjeshtra fiton mbi të vërtetën. Kjo që ndodhi me Luksemburgun, edhe pse mund të quhet një thikë e madhe pas shpinës së trajnerit De Biazi, sepse na dozon frikën për ndeshjen që do të luajmë me Izraelin. Po, po një frikë që nuk soset kur provokon kujtime nga ndeshja e Elbasanit dhe në zemër të hilesë më spektakulare ishte pikërisht ky Hysaj. Tamam sikur të heqësh çelsin nga dera e shtëpisë, për t’i thënë hajdutit paç dorën e mbarë, dhe në atë ndeshje me izraelitët, De Biazi hoqi “çelsin” Hysaj nga fusha, duke realizuar ndërrimin më të dyshimtë që kur ka vënë këmbën në tokën tonë. Atëherë, disa thanë se nuk ishte ndërrim, por protestë ndaj skenarit të shefave të tij . Ajo ditë nuk harrohet, madje mund të kujtohet me brekë të mbushura tani që do të luajmë ndeshjen e kthimit, madje kujtohet edhe për meritë të trajnerit De Biazi që e mbuloi turpin e ndeshjes me ca fjalë nëpër dhëmbë. Edhe për meritë të Hysajt nuk na shqitet nga mendja, ngaqë nuk foli edhe ditën kur kishte rastin më flagrant për të bërtitur me të madhe se në ekipin e tij ndodhin gjëra që nuk falen as në kishë, siç këshillonte trajneri pas përdhosjes me Luksemburgun…
G.Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport