Partizani merr kohë për trajnerin

Partizani vijon të marrë kohë për të vendosur emrin e trajnerit të ri, teksa drejtuesit e klubit nuk duan të nxitojnë në një zgjedhje që konsiderohet shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e projektit të ri. Pas një sezoni të mbyllur me shumë luhatje dhe me ekipin që përfundoi jashtë “Final Four”, në ambientin e kuq ekziston bindja se vendimi për trajnerin duhet të jetë i menduar deri në detaj dhe pa gabime të tjera. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit kanë nisur prej ditësh kontaktet me disa alternativa, si trajnerë shqiptarë ashtu edhe teknikë të huaj që janë propozuar apo kanë shfaqur interes për pankinën e Partizanit.

Një nga emrat që vazhdon të lakohet është ai i Julian Ahmatajt, i cili vlerësohet për eksperiencën në futbollin shqiptar dhe për njohjen e kampionatit, ndërsa në tavolinën e drejtuesve ndodhen edhe disa profi le të huaja që po analizohen me kujdes nga ana e klubit kryeqytetas. Megjithatë, drejtuesit nuk duan të përsërisin gabimet e sezonit të fundit, kur skuadra ndryshoi tre trajnerë dhe mungesa e stabilitetit në pankinë ndikoi drejtpërdrejt edhe në rezultatet e ekipit gjatë sezonit. Në klub ekziston bindja se një nga problemet kryesore të sezonit ishte pikërisht mungesa e vazhdimësisë në drejtim dhe ndryshimet e shumta në stafin teknik, të cilat sollën edhe luhatje të vazhdueshme në lojë.

sfidanti.al