Roland Garros kërcënohet nga tenistët

Një përplasje e fortë ka shpërthyer në botën e tenisit, ku lojtarët më të mëdhenj po përballen me organizatorët e turneve Grand Slam. Emra si Jannik Sinner, Aryna Sabalenka dhe të tjerë kampionë kanë firmosur një letër proteste që ka ngritur mundësinë e një bojkoti të mundshëm të Roland Garros.

Në qendër të konfliktit nuk janë vetëm shpërblimet monetare, por mënyra se si shpërndahen të ardhurat e mëdha që gjenerojnë turnetë më të rëndësishëm si Australian Open, Wimbledon, US Open dhe Roland Garros. Lojtarët pretendojnë se, pavarësisht fitimeve miliardëshe nga të drejtat televizive dhe sponsorët, ata marrin një përqindje shumë të ulët të të ardhurave totale.

Aktualisht, në turnetë Masters 1000 si Roma apo Indian Wells, rreth 22% e të ardhurave shkon për lojtarët. Por në Grand Slam kjo shifër bie ndjeshëm. Në rastin e Roland Garros, edhe pse priten të ardhura mbi 400 milionë euro për vitin 2026, vetëm rreth 15% e tyre shkon për fondin e shpërblimeve, një përqindje që madje ka rënë në vitet e fundit.

Shpërblimet për fituesit e Grand Slam-eve tregojnë diferenca të mëdha mes turneve. Në Roland Garros, kampioni merr rreth 2.8 milionë euro, ndërsa në US Open kjo shifër arrin deri në 5 milionë dollarë.

Protesta është mbështetur nga shumë prej ‘yjeve’ më të mëdhenj të tenisit botëror, përfshirë Carlos Alcaraz dhe Iga Świątek. Kërkesat e tyre kryesore janë rritja e pjesës së të ardhurave për lojtarët në 22%, përfshirja në vendimmarrje dhe krijimi i një fondi mbështetës për lojtarët me renditje më të ulët.

Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje, tenisi botëror mund të përballet me një nga krizat më të mëdha të historisë së tij moderne.