Tashmë që janë përcaktuar 4 skuadrat pjesëmarrëse në Final 4 si dhe finalja e Kupës së Shqipërisë, Elbasani, Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Klubi verdheblu ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se skuadra ndonëse nuk ka bërë paraqitjet e pritura në ndeshjet e fundit, ka arritur të rikthehet në kompeticionet europiane pas 20 vitesh.
“AF Elbasani ka kaluar javë të vështira në kampionat dhe rezultatet e fundit nuk kanë qenë ato që të gjithë do të dëshironim. E kuptojmë zhgënjimin, emocionin dhe pritshmërinë e madhe të çdo tifozi, sepse ky klub jeton përmes pasionit të qytetit dhe mbështetjes së tribunave.
Por kritika sportive nuk duhet të kthehet kurrë në gjuhë banale, ofendime personale apo gjuhë urrejtjeje ndaj futbollistëve, stafit teknik dhe njerëzve që çdo ditë punojnë për këtë fanellë. Elbasani është më shumë se një rezultat javor. Është histori, identitet, krenari dhe përgjegjësi.
Sot, pavarësisht vështirësive të momentit, skuadra jonë është kryesuese, me dy pikë avantazh, pretendente serioze për titullin kampion dhe zyrtarisht në kompeticionet europiane pas 20 vitesh. Kjo është një arritje që nuk mund dhe nuk duhet të zbehet nga disa rezultate negative.
Në këtë fazë të rëndësishme të sezonit, ekipi nuk ka nevojë për përçarje, por për forcë, besim dhe mbështetje. Futbollistët tanë kanë nevojë të ndiejnë se qyteti është pas tyre, jo kundër tyre.
AF Elbasani respekton çdo kritikë të drejtë dhe çdo mendim të sinqertë, por distancohet kategorikisht nga çdo formë ofendimi, fyerjeje apo gjuhe të papërshtatshme. Ky klub përfaqëson sakrificën, dinjitetin dhe qytetarinë”, shkruhet në positimin e klubit.

