Erion Bogdani “hero” në Mantova

Fund tetori i vitit 2025 dukej si fundi i një sezoni të dështuar për Mantova. Skuadra ndodhej në vendin e fundit në renditje dhe rreziku i rënies nga kategoria ishte më real se kurrë. Por klubi nuk u dorëzua.

Drejtuesit vendosën të ndryshojnë kursin duke i besuar drejtimin sportiv Leandro Rinaudo si Drejtor Sportiv dhe Erjon Bogdani në rolin e shefit të skautizmit. Një vendim që shumë shpejt do të rezultonte vendimtar.

Zgjedhja e trajnerit Francesco Modesto dhe ndërhyrjet e sakta në merkaton e janarit sollën kthesën e shumëpritur. Mantova nisi një ecuri mbresëlënëse në fazën e dytë të kampionatit, duke grumbulluar pikë jetike dhe duke rikthyer besimin në skuadër.

Kulmi i kësaj ringjalljeje erdhi sot, me një fitore dramatike 3-2 ndaj Monza, rezultat që vulosi matematikisht qëndrimin në kategori. Një sukses që pak muaj më parë dukej i pamundur.

Tashmë sytë janë nga e ardhmja. Dyshja Rinaudo–Bogdani ka treguar se ka vizion dhe strategji të qartë. Sezoni i ardhshëm pritet të jetë ai i konfirmimit, me objektivin për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe për ta kthyer Mantovën në një protagoniste të denjë në Serie B.

sfidanti.al