Ndeshja numër 400 në histori duhet festuar dhe në futboll, ku nuk lejohet një gotë raki, kjo bëhet me gola. Nuk e prishi traditën Reali i Madridit që realizoi 5 herë ndaj Legias së Varshavës në përballjen për Ligën e Kampionëve në “Santiago Bernabeu”.
I vetmi që nuk mundi të “ngrinte shëndetin” siç duhet, ishte Kristiano Ronaldo. Rekordmeni i golave në historinë e kompeticionit e mbylli ndeshjen pa e dërguar asnjëherë topin në rrjetë. Garet Bejl, Jodloviev me autogol, Asensio, Lukas Vaskez dhe Morata ishin autorët. Polakët u lejuan të merrnin pjesë në gëzimin madrilen duke shkurtuar përkohësisht rezultatin në 1-2 me penalltinë e Radoviçit.
Suksesi gjithsesi nuk siguroi kualifikimin për në raundin tjetër. Nuk mjaftoi as triumfi i Dortmundit brenda në Portugali ndaj Sportingun. Spanjollët dhe gjermanët kanë nga 7 pikë, katër më shumë sesa portugezët, ndërsa duhen edhe tri ndeshje deri në mbyllje të fazës së grupeve.
Në stadiumin e Sportingut, Borusia la pas lëkundjet e kampionatit për të realizuar një ndeshje të denjë për Ligën e Kampionëve. Të besuarit e trajnerit Tomas Tuhel vunë takimin nën kontroll me rrjetat e shënuar shpejt nga Pjer Emerik Obamejang (9’) dhe Julian Vajgl, ndërsa doli i pamjaftueshëm goli i Bruno Sezarit në 67’.
Reali dhe Dortmundi do të kenë mundësi të kalojnë tek 16 më të mirat kur të luhen përballjet e ardhshme, ku do të ketë “rokadë”, skuadra e Zidanit do të shkojë në Varshavë, ndërsa Dortmundi do ta presë Sportingun në prani të 80 000 shikuesve në “Signal Iduna Park”.
B. Kuka