Atletico-Arsenal, edhe ky është futboll…

Në fund, futbolli është i bukur pikërisht për këtë arsye: nuk ka vetëm një mënyrë për ta luajtur. Dhe kjo u pa qartë në këto gjysmëfinale të UEFA Champions League.

Pas spektaklit mes Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, një përballje që shumëkush e konsideroi si “finale e parakohshme”, ndeshja mes Atlético Madrid dhe Arsenal solli një qasje krejt tjetër ndaj lojës.

Barazimi 1-1, me të dy golat të shënuar nga penalltia, tregoi një sfidë më të kujdesshme, më taktike. Më pak ritëm dhe sulm krahasuar me një natë më parë, por shumë më tepër disiplinë dhe organizim në mbrojtje. Ishte sikur të dy ekipet nuk donin të rrezikonin më shumë seç duhet, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në Londër.

Ky është një tjetër interpretim i futbollit: më racional, më i matur. Ndoshta në Paris kishte më shumë yje dhe spektakël individual, por kjo nuk do të thotë se trajnerë si Diego Simeone dhe Mikel Arteta duhen nënvlerësuar. Përkundrazi, ata kanë armët dhe strategjitë për të vënë në vështirësi ekipe si PSG apo Bayern.

Sepse në futboll asgjë nuk është e sigurt. Gjithçka mund të ndryshojë, ashtu si edhe mënyra se si luhet një ndeshje.

sfidanti.al