Vllaznia, Kastrati drejt rikthimit

Lirim Kastrati ishte menduar si një mungesë e sigurt për pjesën e mbetur të sezonit, pasi dëmtimi i pësuar disa javë më parë ngriti dyshime të forta për një mbyllje të parakohshme të edicionit për sulmuesin e krahut të Vllaznisë. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë sjellë një panoramë krejt tjetër, duke rritur ndjeshëm optimizmin në kampin kuqeblu. 27-vjeçari ka qenë i pranishëm në seancat e fundit stërvitore, duke dhënë sinjale të qarta se rikuperimi po ecën në drejtimin e duhur.

Edhe pse ende nuk është bashkuar plotësisht me grupin, Kastrati ka nisur vrapimet individuale dhe ushtrimet e lehta, një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të plotë në fushë. Stafi mjekësor dhe teknik po e ndjekin me shumë kujdes gjendjen e tij fizike, duke mos dashur të rrezikojnë me një rikthim të nxituar. Forma e numrit “7” do të jetë në qendër të vëmendjes në ditët në vijim, ku çdo progres i tij do të vlerësohet me detaje për të përcaktuar momentin e duhur të rikthimit.
sfidanti.al