Ish-piloti i Formula 1, Ralf Schumacher, ka reaguar me tone të forta ndaj valës së kërcënimeve dhe abuzimit në rrjetet sociale, duke kërkuar ndërhyrje ligjore kundër personave që dërgojnë mesazhe urrejtjeje ndaj pilotëve.
Situata është ndezur pas një incidenti në Çmimin e Madh të Kinës, ku Esteban Ocon, pilot i Haas, u përplas me Franco Colapinto të Alpine. Edhe pse Ocon mori përgjegjësinë për aksidentin dhe kërkoi falje publike, ai dhe skuadra e tij u bënë shënjestër e sulmeve të shumta online, përfshirë kërcënime serioze me vdekje. Në këtë klimë tensioni, agjencia që përfaqëson Colapinto-n bëri thirrje për qetësi dhe respekt, duke u kërkuar tifozëve të ndalojnë gjuhën e urrejtjes, pasi ajo nuk ndryshon asgjë nga ajo që ndodhi në pistë.
Schumacher, fitues i gjashtë garave në karrierën e tij, e cilësoi këtë fenomen si alarmant gjatë një interviste në podcastin “Backstage Pit Lane”: “Kjo është shumë e trishtueshme dhe e turpshme. Nuk ka vend në Formula 1. Duhet të merren masa ligjore ndaj këtyre personave. Dhuna dhe nxitja e saj në internet nuk duhet të tolerohen askund.”

