Zëdhënësi i përfaqësueses polake: Mos kalojmë në panik

Përfaqësuesja e Polonisë vazhdon përgatitjet për ndeshjen e të enjtes ndaj Shqipërisë me mungesa të rëndësishme edhe në seancën e sotme stërvitore. Në stërvitje sot nuk u shfaqën dy elementë shumë të rëndësishëm të Polonisë si Jakub Moder dhe Piotr Zielinski. Tifozët nisën të komentonin mundësinë e dëmtimit të dy futbollistëve dhe mungesën e këtyre futbollistëve ne radhët e ekipit për ndeshjen ndaj kuqezinjve.

Por për mediat vendase, këtë situatë e ka shpjeguar Emil Kopanski, zëdhënësi për mediat i ekipit përfaqësues të Polonisë. Sipas tij, Moder dhe Zielinski kishin pasur vetëm mbingarkesë ndaj ishin stërvitur veçmas. “Ata janë jashtë për të ulur pak ngarkesat fizike. Po ndjejnë pak trysninë nga ndeshjet në kampionat. Por mos kaloni në panik, le të mos jemi në panik”, tha ai para mediave rreth kësaj situate. Mediat polake bëjnë të ditur se me lojtarët është zgjedhur kjo mënyrë veprimi për shkak të aktivizimit të vazhdueshëm që kanë pasur në klubet përkatëse, Feynord dhe Inter, teksa për momentin nuk duket në dyshim pjesëmarrja e tyre në ndeshjen ndaj Shqipërisë.

sfidanti.al