Kur flet për futbollin shqiptar shëmbulli klasik i gotës gjysëm plot apo gjysëm bosh vazhdon të jetë shumë aktual. Natyrshëm që nuk mungojnë “avokatët” e të dy hapësirave, asaj bosh e asaj plot dhe ky debat mund të vazhdojë pa fund.
Por nëse pyetja shtrohet ndryshe, nëse problemi shikohet nga një tjetër këndvështrim çfarë do të ndodhte. Pra nëse pyetja bëhet: a po mbushet gjysma bosh apo po zbrazet gjysma plot? Besoj se optimistët do të ishin në një minorancë të papërfillshme statistikisht në përgjigjen e kësaj pyetje.
Sepse futbolli nuk është duke u bërë më i mirë. Në të gjitha aspektet kryesore të vlerësimit të tij
Ai nuk po prodhon më shumë para për klubet. Përkundrazi, gjithnjë e më pak e gjithnjë e më pak të pastra.
Sepse futbolli nuk po bëhet gradualisht më i pastër por po “bëhet pis” përditë e më shumë. Të gjesh sot njerëz që besojnë në ndershmërinë e rezultateve të ndeshjeve është pothuaj e pamundur.
Sepse cilësia e tij nuk po rritet por po dobësohet. Në çdo aspekt teknik që ta analizosh. Prodhojmë më pak ndeshje cilësore. Kemi gjithnjë e më pak spektatorë, prodhojmë gjithnjë e më pak talentë e sigurojmë një fitim minimal nga shitja e tyre.
Sepse demokracia e drejtimit dhe menaxhimit të tij po pëson goditje vdekjeprurëse duke e shndrruar në një biznes personal të individëve me pushtet.
Këto dhe shumë “sepse” të tjera tregojnë qartë se ka shume pak vend për të qënë entuziast me këtë sport. Natyrsisht është më mirë se sportet e tjera, por kjo nuk mund të mjaftojë. Sportet e tjera kanë probleme mbijetese. Futbolli ka probleme serioze zhvillimi.
Problemet e futbollit janë disa:
- Mungesa totale e një politike zhvillimi kolegjiale, objektive, serioze, afatgjatë që ta shndrrojë atë në sport prodhues: teknikisht e financiarisht.
- Mungesa totale e vëmendjes shtetërore për monitorimin, kontrollin dhe mbështetjen institucionale të këtij sporti.
- Abuzimi i qartë me pushtetin individual duke shkelur haptazi parimet demokratike të funksionimit të federatës.
- Ndikimi korruptiv në paracaktimin e rezultateve sportive nga faktorë ekstrasportivë.
Ndaj problemi nuk është nëse ka apo jo “gota” e futbollit ujë. Problemi shumë më shqetësues është se edhe atë pak ujë që ka kjo gotë po ja shtojnë apo po ja “pijnë” makutët e korruptuar.
Besoj se po ja pijnë derisa, nëse nuk i ndalojmë, do ta thajnë futbollin “me rrënjë e me degë”.
Prof.Dr. Artan Shyti