Bremer, dëmtim në meniskun e majtë, do t’i nënshtrohet operacionit

Vazhdon periudha e zezë për mbrojtësin e Juventusit, Gleison Bremer. Futbollisti brazilian është detyruar të ndalet sërish për shkak të një dëmtimi të ri, vetëm pak kohë pasi ishte rikthyer nga një mungesë e gjatë si pasojë e dëmtimit të ligamentit të kryqëzuar. Këtë herë bëhet fjalë për një problem në meniskun e majtë.

Klubi bardhezi, me një njoftim zyrtar, ka bërë të ditur:

“Në orët e paradites së sotme, në Lyon, Bremer u vizitua nga doktori Sonnery-Cottet. Pas ekzaminimeve mjekësore u konstatua një dëmtim i meniskut medial në gjurin e majtë. Në vijim lojtari do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje artroskopike për të hequr pjesën e dëmtuar të meniskut.” Ky zhvillim vjen në një moment jo të mirë për skuadrën e Igor Tudor, që tashmë humbet një tjetër titullar të rëndësishëm në repartin mbrojtës.

Ky operacion pritet ta mbajë mbrojtësin jashtë fushave për disa javë, ndërsa stafi mjekësor i Juventusit do të përcaktojë kohën e rikthimit pas ndërhyrjes. Bremer, përveçse një shtyllë e mbrojtjes bardhezi, bën pjesë edhe në mesin e futbollistëve më të paguar të Serie A. Sipas të dhënave të “Capology.com”, pa llogaritur bonuset, lista e dhjetë më të paguarve duket kështu:

  • Dusan Vlahovic (Juventus) – 22,2 milionë euro bruto në vit
  • Lautaro Martínez (Inter) – 16,7 milionë
  • Paulo Dybala (Roma) – 13 milionë
  • Nicolò Barella (Inter) – 12 milionë
  • Jonathan David (Juventus) – 11,1 milionë
  • Hakan Çalhanoğlu (Inter) – 11,1 milionë
  • Kevin De Bruyne (Napoli) – 11,1 milionë
  • Alessandro Bastoni (Inter) – 10,2 milionë
  • Christopher Nkunku (Milan) – 9,3 milionë
  • Adrien Rabiot (Milan) dhe Gleison Bremer (Juventus) – nga 9,3 milionë euro

sfidanti.al