Hysaj: Minutat e pakta në Itali më kanë motivuar më shumë

Në prag të ndeshjes vendimtare kundër Polonisë për fazën “play-off” të Botërorit, mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj, foli në një konferencë për shtypin, duke ndarë pritshmëritë, sfidat dhe ëndrrën e madhe për kualifikim. Hysaj theksoi se ekipi është plotësisht i fokusuar dhe i vetëdijshëm për rëndësinë historike të këtyre ndeshjeve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi mungesat e rëndësishme të lojtarëve si Rei Manaj dhe Mirlind Daku, kapiteni kuqezi pranoi se ato janë humbje të ndjeshme, por shprehu besim të plotë te lojtarët e tjerë.

“Kjo është kombëtare. Kur mungojnë disa, të tjerët duhet të jenë gati për të treguar veten dhe për të dëshmuar se e meritojnë këtë fanellë. Kombëtarja është një gjë e madhe, dhe besoj se trajneri ka bërë zgjedhjet e duhura,” deklaroi Hysaj, duke theksuar se kjo është një mundësi për lojtarët e tjerë që të dalin në pah.
Për mbrojtësin shkodran, i cili ka përjetuar dy Kampionate Evropiane me fanellën kuqezi, kualifikimi në Botëror mbetet maja e karrierës. “Pjesëmarrja në Botëror është një ëndërr që e kam që fëmijë. Pasi ke luajtur në dy Evropianë, të mungon vetëm ky kapitull. Ëndrrat nganjëherë realizohen, dhe ne duhet të besojmë gjithmonë. Besimi te grupi është shumë i madh,” tha ai.

Megjithatë, Hysaj u tregua realist dhe me këmbë në tokë, duke paralajmëruar se një fitore ndaj Polonisë është vetëm hapi i parë në një rrugëtim të vështirë me dy ndeshje. “Nuk mund të gëzohemi pas Polonisë, sepse na pret një ndeshje tjetër edhe më e rëndësishme. Ndeshja e parë është e rëndësishme, por e dyta do të jetë ndeshja e jetës. Në atë ndeshje nuk do të ketë as lodhje, as minuta, asgjë. Do ta luajmë me zemër për të bërë krenarë sa më shumë shqiptarë,” përfundoi Hysaj, duke bërë të qartë se skuadra e ka kuptuar se përpara ka dy finale për të arritur ëndrrën historike.

sfidanti.al