Golashënuesi kryesor i Kombëtares, Rei Manaj, mund të ketë mbyllur sezonin me Sivasporin për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga klubi turk, duke krijuar një mungesë të ndjeshme për trajnerin Silvinjo përpara sfidës vendimtare me Poloninë. Sipas raportit të Sivasporit, “Rei Manaj është dëmtuar në pjesën e pasme të kofshës së majtë gjatë ndeshjes. Pas ekzaminimit me rezonancë të kryer, është konstatuar një çarje e tendinit brenda muskulit të gradës 3c dhe gjakderdhje në pjesën e pasme të kofshës së majtë.” Manaj ishte rikthyer te Sivaspori gjatë merkatos së dimrit dhe u aktivizua në ndeshjen e djeshme, megjithëse klubi kishte vërejtur se ai kishte shfaqur shqetësime edhe gjatë stërvitjeve. Vendimi për ta hedhur në fushë ka rezultuar fatkeqësisht i gabuar, duke e detyruar sulmuesin të ndalojë aktivitetin për pjesën e mbetur të sezonit.
sfidanti.al

