Kampionët e sportit, ashtu si gjithë personalitetet e gjithë botës, shpesh u duken njerëzve si përsosmëri që në çdo moment mund ta bëjnë diferencën siç duan dhe sa duan. Ja që kjo nuk është e vërtetë dhe rastësisht sporti i tenisit po e tregon qartë me dy shembujt kryesorë. Numrat 1 të botës, Novak Gjokoviç dhe Serena Uilliams, po kalojnë momentet më të vështira që kur nisën të bëhen yje.
Gjokoviç nisi tatëpjetën menjëherë pasi fitoi atë turne që e donte më shumë dhe që e kishte zhgënjyer gjithnjë, Çmimin e Madh të Rolan Garosit në Paris. Në “shtëpinë” e Nadalit, tenisti serb ia doli më në fund duke plotësuar vitrinën e tij të trofeve. Veçse, pas 1 viti kerjtësisht fitimtar, me 4 Grand Slemet në xhep, Nole nisi rënien. Humbi në Uimbëlldon, u eleminua shpejt në Lojrat Olimpike, ndërsa nuk ia doli as në US Open, ndonëse arriti finalen ndaj Vavrinkës.
Serbi u mund sërish, në “Shangai Roleks Masters” dhe deklaroi se është i shteruar. Duket se pas 12 trofeve Grand Slem, rekordeve të shumtë dhe rekordit të parave të fituara me mbi 100 milionë dollarë, numri 1 i botës do të duhet të pushojë, madje edhe ta humbasë vendin e parë në favor të skocezit, Andi Marrej.
E njëjta gjë me Serenën. Amerikania ka fituar 2 Grand Sleme, duke qenë e dyta më e mirë në të gjitha kohët, ka dalë 4 herë kampione olimpike, dhe është femra me m shumë fitime financiare, me mbi 80 milionë dollarë në karrierë. Gjithsesi, edhe ajo po humbet, tepër e lodhur dhe e dëmtuar. Mjeku i ka thënë të shërojë dëmtimin me shpatull dhe ajo mund të mos dalë në fushë deri vitin tjetër, pra edhe ta humbasë numrin 1 të botës.
Në fund të fundit, edhe kampionët e mëdhenj janë njerëz.
B. Kuka