Raheem Sterling rikthehet pas nëntë muajsh

Sulmuesi anglez Raheem Sterling luajti ndeshjen e tij të parë pas nëntë muajsh, duke debutuar me klubin e ri Feyenoord. Sterling, 31 vjeç, nuk kishte luajtur që nga 25 maji 2025, gjatë huazimit tek Arsenali nga Chelsea, ku kishte rënë në hije nën drejtimin e ish-trajnerit Enzo Maresca. Me largimin e Maresca-s dhe ardhjen e Liam Rosenior te Chelsea, kontrata e Sterling u mbyll dhe ai u bë lojtar i lirë. Kjo e çoi ish-lojtarin e Anglisë drejt Feyenoord-it, ku punon nën drejtimin e legjendës së Premier League, Robin van Persie.

Sterling debutoi të dielën në De Kuip ndaj SC Telstar, duke hyrë në pjesën e dytë në minutën e 61-të. Ai u prit me duartrokitje nga tifozët dhe kontribuoi për fitoren 2-1 të ekipit të tij. Sulmuesi shpreson që ky rikthim të rrisë mundësitë e tij për një thirrje te kombëtarja e Anglisë, ku ka luajtur më së fundmi në Botërorin e 2022-ës. Megjithatë, ai thekson se aktualisht po fokusohet te loja e tij dhe nuk ka biseduar ende me trajnerin Thomas Tuchel për Botërorin e verës.

“Ende nuk kam folur me të (Tuchel). Thjesht po luaj futboll dhe kjo është më e rëndësishmja,” tha Sterling për ESPN. Ai shtoi se udhëtimi në Belgjikë, për shkak të disa vonesave me vizën, ishte i dobishëm për t’u integruar me skuadrën dhe për të njohur shokët e ekipit. “Ka qenë një debutim i mrekullueshëm. Fillova ndeshjen e parë me një fitore, që është më e rëndësishmja. Jam këtu për një sfidë të re. Ekipi ka shumë lojtarë me talent, prandaj është e rëndësishme të ruajmë konsistencën dhe të arrijmë objektivin tonë. Nuk kam luajtur për pak kohë, por po përpiqem të ruaj formën. Po ndërtojmë gjithçka hap pas hapi dhe po përpiqem të arrij formën e duhur për ndeshjet. Fillimi me një fitore është i shkëlqyer,” përfundoi Sterling.

sfidanti.al