Vajzat në Rajasthan sfidojnë traditën përmes sportit

Në një fshat të Indisë, një stërvitje futbolli u kthye në një moment vendimtar për jetën e një adoleshenteje. Nisha Vaishnav ishte vetëm 14 vjeç kur disa të rritur erdhën ta shihnin gjatë stërvitjes, jo si lojtare, por si nuse të mundshme për djalin e tyre. Në Indi, martesa e vajzave nën 18 vjeç është e paligjshme, por mbetet e përhapur. Sipas UNICEF, rreth 25% e grave në vend janë martuar para moshës ligjore. Në Rajasthan, normat janë edhe më të larta dhe presioni familjar shpesh është i fortë.

Nisha, e frymëzuar nga motra e saj Munna, iu bashkua projektit “Futballi për liri”, një iniciativë që përdor sportin për të fuqizuar vajzat. Fillimisht, komuniteti i kritikonte sepse luanin me pantallona të shkurtra, por ato vazhduan pa u tërhequr. Kur erdhi propozimi për martesë, Nisha refuzoi. Ajo deklaroi se ishte shumë e re dhe se dashuria e saj ishte futbolli. Pas disa javësh, familja tjetër tërhoqi ofertën. Sot, Nisha ëndërron të luajë për kombëtaren e Indisë. Ndërsa Munna, që tashmë studion në universitet, trajnon vajza të tjera dhe i këshillon të mos dorëzohen përballë martesës së hershme. Përmes sportit, vajzat jo vetëm fitojnë vetëbesim, por edhe mundësi reale punësimi. Në Indi, një pjesë e vendeve të punës në sektorin publik rezervohen për sportistët, duke u dhënë atyre pavarësi ekonomike. Në një shoqëri ku tradita shpesh kufizon zgjedhjet e vajzave, futbolli po bëhet një mjet rezistence, një mënyrë për të mbrojtur të ardhmen dhe për të ndjekur ëndrrat.

sfidanti.al