Juventus, analizat e Bremer shmangin dëmtimin e rëndë

Ka ardhur një lajm pozitiv për Juventusin pas shqetësimit të krijuar nga dëmtimi i Gleison Bremer. Ekzaminimet mjekësore të kryera ndaj mbrojtësit brazilian në qendrën mjekësore JMedical nuk kanë evidentuar asnjë dëmtim serioz, duke i dhënë frymëmarrje klubit bardhezi dhe trajnerit Luciano Spalletti. Stafi mjekësor do ta monitorojë çdo ditë gjendjen e lojtarit për të vlerësuar nëse ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës kundër Como-s. Nuk përjashtohet mundësia që Bremer të rikthehet që në këtë sfidë, nëse rikuperimi i tij vazhdon sipas parashikimeve. Mbrojtësi u dëmtua rreth minutës së 30-të të pjesës së parë në takimin kundër Galatasaray-t, pasi ndjeu shqetësime në kofshën e djathtë. Fillimisht ai provoi të rikthehej në fushë pas një ndërhyrjeje të shpejtë mjekësore pranë vijës anësore, por pas pak minutash u detyrua të largohej përfundimisht nga loja. Në vend të tij u aktivizua Federico Gatti. Rezultati i analizave sjell optimizëm në kampin torinez, pasi Bremer konsiderohet një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes. Rikthimi i tij i shpejtë do të ishte një përforcim i rëndësishëm për Juventusin në vazhdimësinë e sezonit.

Sfidanti.al