Manchester United mbetet i vendosur në qëndrimin e tij sa i përket së ardhmes së Marcus Rashford. Drejtuesit e klubit anglez nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë ulje të çmimit për kartonin e sulmuesit, duke insistuar në shumën prej 30 milionë eurosh të parashikuar në marrëveshjen me Barcelonën. Gjatë merkatos së verës, klubi katalanas siguroi shërbimet e Rashford pasi dështoi të transferonte Nico Williams, i cili rinovoi me Athletic Club, si dhe nuk arriti të afronte Luis Díaz, që përfundoi te Bayern Munich.
Në këto rrethana, Barcelona vendosi të investojë te sulmuesi anglez, një lëvizje që deri tani ka rezultuar e suksesshme. 28-vjeçari është përshtatur shpejt në ambientin e “Camp Nou” dhe ka regjistruar 10 gola dhe 13 asistime në 34 ndeshje zyrtare në të gjitha kompeticionet. Këto paraqitje kanë bindur drejtuesit katalanas të shqyrtojnë seriozisht aktivizimin e opsionit të blerjes përfundimtare. Megjithatë, sipas raportimeve të “Daily Mail”, nëse Barcelona dëshiron ta mbajë përfundimisht Rashfordin, duhet të paguajë plotësisht 30 milionë eurot e dakordësuara. Në të kundërt, lojtari do të rikthehet te Manchester United, që zotëron ende të drejtat e tij. Burime pranë klubit anglez theksojnë se drejtuesit janë të habitur nga spekulimet për një ulje të mundshme të çmimit dhe këmbëngulin në respektimin e marrëveshjes ekzistuese. Situata mbetet e hapur dhe pritet të zhvillohet në javët në vijim.
Sfidanti.al

