Lindsey Vonn del nga spitali dhe kthehet në SHBA

Kampionia amerikane e skive alpine, Lindsey Vonn, ka dalë nga spitali në Itali dhe është rikthyer në Shtetet e Bashkuara pas një periudhe të vështirë rikuperimi. 41-vjeçarja ishte shtruar në spitalin ‘Ca’ Foncello’ në Treviso, ku iu nënshtrua katër ndërhyrjeve kirurgjikale në këmbën e majtë. Vetë sportistja e kishte paralajmëruar largimin përmes rrjeteve sociale pas operacionit të fundit. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 9:30, ajo u largua nga spitali dhe u transportua me ambulancë drejt aeroportit Aeroporto Marco Polo të Venezias, prej nga mori fluturimin për t’u kthyer në atdhe. Para nisjes, Vonn bëri edhe një gjest prekës: ajo dhuroi për repartin e Pediatrisë pellushët që kishte marrë si dhuratë gjatë qëndrimit në spital, ndërsa lulet i la në dhomën ku ishte shtruar. Ky veprim u vlerësua si një shenjë mirënjohjeje ndaj stafit mjekësor dhe pacientëve të vegjël. Largimi i saj nga Italia shënon një hap të rëndësishëm në procesin e rikuperimit. Tashmë, kampionia do të vazhdojë rehabilitimin në SHBA, me synimin për t’u kthyer gradualisht në aktivitetet e saj, ndërsa mbetet një figurë frymëzuese në prag të eventeve të mëdha sportive që lidhen me Milano-Cortina 2026.

sfidanti.al