Çështja e shumëpërfolur e motorëve që vendosi në qendër të debatit Mercedes-in duket se ka marrë fund pas dy muajsh dimërorë tepër të tensionuar në paddock-un e Formula 1. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka kryer në mënyrë konfidenciale kontrollet teknike mbi njësinë V6 të prodhuar në Brixworth, duke aplikuar metodën e re të verifikimit “në të nxehtë”, me motorin e sjellë në temperaturë pune. Rezultati ka qenë i qartë: V6 i Mercedes respekton kufirin e ri të raportit të kompresionit 16:1, në krahasim me 18:1 që ishte në fuqi deri në vitin 2025.
Presion nga rivalët
Rasti ishte ngritur fillimisht nga Honda, me Ferrarin që reagoi ashpër, ndërsa Audi dhe Red Bull iu bashkuan presionit për të ndryshuar kriteret e verifikimit teknik. Këta konstruktorë kërkonin që kontrollet të kryheshin në kushte që riprodhojnë sa më shumë funksionimin real të motorit, për të shmangur çdo mundësi interpretimi teknik në favor të Mercedes. Megjithatë, FIA duket se ka vepruar paraprakisht, duke kryer testet përpara se çështja të hidhej në votim zyrtar në PUAC (Power Unit Advisory Committee).
Pikëpyetje të hapura
Megjithëse Mercedes ka kaluar testin, mbeten disa çështje për t’u sqaruar:
-
Si arriti Mercedes në kohë rekord të përshtasë motorin për të respektuar kufirin e ri?
-
A u informuan konstruktorët e tjerë për testet e kryera nga FIA?
-
A do të hidhet ende në votim metoda e re e matjes, edhe pse rezultati tashmë është konfirmuar?
Nëse votimi zhvillohet, ai pritet të ketë më pak peshë se sa mendohej fillimisht, pasi “ngërçi” teknik ku rivalët shpresonin të kapnin Mercedes duket se është shmangur.
Wolff ndryshon ton
Deklaratat e fundit të shefit të Mercedes, Toto Wolff, konfirmojnë një qasje më të qetë nga kampi gjerman. Pas toneve të ashpra të ditëve të para – ku madje presidenti Ola Källenius kishte paralajmëruar edhe veprime ligjore kundër FIA-s – tashmë retorika ka ndryshuar. “S jemi në rregull, por rivalët tanë janë ndjerë të prekur. Ata ushtruan presion mbi FIA-n, por nëse qeverisja, të cilën ne e respektojmë, voton për ndryshime në rregulloren e motorëve, ne do ta pranojmë. Nuk do të padisim FIA-n. Sigurisht, do të ishte një dëm – edhe pse i vogël – për motorët tanë”, deklaroi Wolff. Një kthesë që lë të kuptohet se Mercedes është i bindur për korrektësinë e saj teknike. Në fakt, sipas të gjitha gjasave, verdikti tashmë është dhënë – dhe çështja, të paktën për momentin, konsiderohet e mbyllur.

