Pas tërheqjes së Manuel Neuer-it nga përfaqësuesja gjermane, pozicioni i portierit ka rikthyer diskutimet mbi numrin 1 të ekipit. Marc-André ter Stegen ka pësuar disa lëndime kohët e fundit, ndërsa Oliver Baumann dhe Alexander Nübel kanë ndarë herë pas here detyrën e titullarit. Në këtë kontekst, përpara Botërorit 2026, debate të forta zhvillohen mbi portierin që duhet të mbrojë portën e Gjermanisë. Në një intervistë për ‘Abendzeitung München’, trajneri i njohur gjerman, Felix Magath, shprehu qartë qëndrimin e tij: “Nuk kam asnjë dyshim. Nuk dua të ofendoj portierët e tjerë, por Manuel Neuer është jashtëzakonisht i veçantë.”
Magath kujtoi eksperiencën personale me Neuer-in gjatë kohës së tij te Schalke 04: “Ai ishte dinamik, i shpejtë dhe kishte një kapacitet të madh për të kërcyer. Kur ekipi bënte stërvitje të rezistencës, ai ishte i vetmi që shkonte përpara.” Ai shtoi: “Sigurisht, ndonjëherë gabon, por gjithmonë e di situatën dhe gjen zgjidhjen e duhur me shpejtësi të madhe. Kjo e veçon nga kandidatët e tjerë.” Magath përfundoi: “Do të ishte shumë e mirë për përfaqësuesen gjermane që ai të rikthehej, por në fund vendimi është vetëm i tij.” Ky diskutim rikthen në qendër figurën e legjendës gjermane, ndërkohë që kombëtarja përgatitet për sfidat e mëdha në Botërorin e ardhshëm.
sfidanti.al

